Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka dalë në terren ditën e sotme në kuadër të fushatës së vaksinimit dhe ka zhvilluar takim me drejtues vendor të Bashkisë së Fierit.
Manastirliu i është drejtuar sërish opozitës dhe i ka kërkuar që të jetë pjesë në fushatën e madhe të vaksinimit. Ajo tha se dora është e shtrirë dhe kjo situatë tregon që duhet të jemi bashkë.
“Opozita duhet të jetë pjesë në këtë fushatë të madhe vaksinimi sepse duke qenë bashkë mund të mbrojmë jetën e qytetarëve. Debati duke qenë konstruktiv është i mirëpritur. Jemi të hapur ta kemi opozitën në tavolinë për të bërë bashkë atë që është më e mira për njerëzit.
Akuzat, gënjeshtrat dhe balta ndaj sistemit shëndetësor duke vënë në dyshim punën e tyre nuk bën mirë. Por qytetarët e dinë mirë se si përgjigjen dhe ia kanë treguar opozitës. Dora jonë është e shtrirë dhe kjo situatë tregon që duhet të jemi bashkë”, tha ministrja.
Manastirliu gjithashtu i bëri thirrje çdo qytetari të vaksinohet, pasi nuk ka rrugë tjetër për të afruar fundin e pandemisë. Ajo bëri me dije se nga e hëna nis aksioni në terren për vaksinimin masiv të studentëve.
“Dua t’i bëj thirrje çdo qytetari të vaksinohet jo se e themi ne, po se e thonë ekspertët më të mirë në botë. Se nuk ka rrugë tjetër për të afruar fundin e kësaj pandemie përveçse me vaksinim. Nga ana tjetër, do të nisim të hënën një tjetër aksion, do të jemi në terren në çdo universitet, për vaksinimin masiv të studentëve, si domosdoshmëri për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri akademik që është në prag”, ka thënë Manastirliu.