Një aksident i rëndë ka ndodhur në afërsi të Pgradecit dhe si pasojë ka humbur jetën një 29-vjeçare. Bëhet fjalë për Xhanina Hoxha, e cila ndërroi jetë teksa ishte duke u transportuar për në spitalin e Traumës, ka bërë me dije policia në një njoftim të përditësuar.
Ndërkohë, policia ka filluar procedim penal për drejtuesin e mjetit, i cili ka mbetur gjithashtu i plagosur dhe ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak datë 07.10.2021, i cili bën fjalë për një aksident rrugor, strukturat e lartpërmendura, filluan procedimin penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, ndaj shtetasit K. G., 42 vjeç, banues në fshatin Shqitas, Maliq, pasi në segmentin rrugor Grunjas-Kakaç, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Ford”, ka dalë nga rruga dhe për pasojë kanë marrë dëmtime pasagjerja, shtetasja Xh. H., 29 vjeçe, banuese në fshatin Shqitas, Maliq, e cila gjatë transportimit për mjekim më të specializuar në Tiranë, ka ndërruar jetë, si edhe drejtuesi i mjetit K. G., i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.