Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i ka bërë thirrje opozitës dhe deputetëve të tjerë që të kontribuojnë në sensibilizimin e qytetarëve për t’u vaksinuar.
Ministrja u shpreh se në luftën për jetën, avantazhi i vetëm është vaksina dhe kjo kauzë duhet të shkojë përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza.
Nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu tha se nuk do ishte turp e as humbje sikur çdonjëri prej 140 deputetëve në sallë të shfrytëzonte të paktën një herë hapësirën në media apo rrjetet e veta sociale, për t’u bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen.
“Në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi sot është vaksina. Në luftën për jetën, çdo vaksinë e shtuar sot, frenon përhapjen e infeksionit dhe rrezikimin e jetës së dhjetëra njerëzve nesër. Flasim për shëndetin publik, dhe mjafton kjo për t’i dhënë kësaj kauze një dimension që shkon përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza pa pikë baze. Nuk do të ishte turp, as lëshim, as humbje, as dorëzim, as tërheqje, sikur çdonjëri prej 140 deputetëve në sallë, të shfrytëzonte të paktën një herë të vetme, hapësirën në media, në rrjetet e veta sociale, për t’u bërë një thirrje të sinqertë qytetarëve: Vaksinohuni!”, ka thënë Manastirliu.