Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar ditën e sotme me një postim në rrjetin e tij social “Facebook” ku ka ndarë foto gjatë vizitës së tij në Shëngjergj. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, Meta dekoroi arsimtarin Ymer Distafa (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Në vlerësim të përkushtimit të jashtëzakonshëm për zhdukjen e analfabetizmit dhe konsolidimin e arsimit shqiptar, pas çlirimit të vendit. Në nderim të punës së palodhur në Shëngjergj për përçimin e diturisë dhe edukimin shoqëror e kulturor të brezave të rinj, si dhe për kontributin 40-vjeçar të dhënë si mësues fisnik në fushën e arsimit në këtë zonë.” Në ceremoninë e organizuar në fshatin Shëngjergj, Presidenti Meta u shpreh:
“Jam i lumtur që ndodhem, në Shëngjergjin e mrekullueshëm për të vlerësuar një bir të shquar të kësaj zone, mësuesin e nderuar Ymer Distafa. I lindur në një familje patriotike me kontribute të vyera në Luftën Antifashiste, ku u edukua me dashurinë për Atdheun, arsimin dhe dijen, për mbi 40 vite ai punoi me përkushtim për edukimin cilësor dhe gjithpërfshirës të brezave të rinj të Shëngjergjit, duke merituar respektin dhe nderimin e mbarë zonës.
Në vlerësim të angazhimit të tij jetësor për zhdukjen e analfabetizmit dhe konsolidimin e arsimit shqiptar, pas Çlirimit të vendit, si dhe ndihmesën e madhe të dhënë për përçimin e dijeve, edukimit shoqëror e kulturor të brezave të rinj, pata kënaqësinë të çmoja mësuesin e paharruar Ymer Distafa me Titullin e lartë “Naim Frashëri”.