Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar se “foltorja” e tij e radhës do të mbahet në qytetin e Gjirokastrës. Berisha ka thënë se “foltorja” do të fillojë në orën 18:00, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë.
Ai u ka bërë ftesë demokratëve që t’i bashkohen, për një Demokratike më të fortë e më të hapur.
“Njoftim: Neser, diten e merkure me daten 6 tetor ne ora 18:00 ne sallen e Hotel Olimpik te qytetit te Gjirokastres do mbahet “Foltorja: Per nje Parti Demokratike me te bashkuar, me te forte, me te hapur”. Ftoj demokratet dhe demokratët e Gjirokastres te marrin pjese. Vetem te bashkuar fitojme! Sb”, shkruan Berisha.
Kujtojmë që ish-kryeministri e ka filluar këtë nismë nga kryeqyteti, për të vazhduar më pas në Fier, Durrës, Vlorë e Shkodër. Ai është pritur nga demokratë të shumtë, ndërsa nuk i ka kursyer deklaratat kundër kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha. Nga Shkodra, Berisha tha se PD nuk ka fituar asnjë marrëveshje me Ramën në këto tetë vite, përveç ligjit të dekriminalizimit. Ai tha se në tetë vite opozita kaloi nga dështimi në dështim dhe mbi të bien përgjegjësi madhore. Berisha u bëri thirrje deputetëve demokratë që të mos pranojnë marrëveshje që nuk janë të miratuara nga Këshilli Kombëtar.