‘Foltorja’, aksioni që ka ndërmarrë ish-kryeministri Sali Berisha pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD e cila po mbahet mbrëmjen e sotme në Shkodër nuk ka kaluar pa incidente.
Pyetja e një vajze të re shkaktoi ovacione në sallë. Gjatë fjalës së saj ajo tha se Partia Demokratike e cila pretendon se ka sjellë pluralizmin nuk ka miratuar ligje për të gjetur eshtrat e personave të persekutuar. Duke iu drejtuar Berishës ajo tha se duhet të fillohet të merret me krimet e komunizmit që PD të ketë vërtetësi si parti.
Pas fjalës së saj turma filloi ovacionet duke iu hequr edhe mikrofoni. Ish-kryeministri Berisha ka kërkuar që t’i jepet mikrofoni ndërkohë që ajo e ka konsideruar të padrejtë mos dhënien e të drejtës për të folur. Në fund ish-kryeministri i ka thënë se e pret në Tiranë në një takim për të folur më gjatë.
Pjesë nga debati:
Qytetarja: Sali Berisha sa antikomunist ka qenë gjatë këtyre 30-viteve sepse unë si familje e persekutuar jam duke u marrë me çështjen e gjyshit tim. Gjyshi im që është i persekutuar rezulton si kriminel. Kemi probleme me ligjet e komunizmit. Por Partia Demokratike e cila pretendon se ka sjellë pluralizmin nuk ekzistojnë leje për me gjetur eshtrat e familjarëve tonë. Si është e mundur?
Sali Berisha: Shqetësimi juaj është shumë i drejtë. Partia Demokratike ishte partia e parë që miratoi ligjin e dënimit të gjenocidit komunist dhe krimeve të Enver Hoxhës. me këtë ligj janë dënuar 73 eksponentë. Asgjë që u është dhëne si demshpërblim familjarëve të të persekutuarve nuk ka qenë gjë tjetër veçse djersë dhe mund i tyre sepse lista e veprave nga të internuarit është e jashtëzakonshme.
Qytetarja: Çështja e krimeve të komunizmit është më kryesorja.
Sali Berisha: Unë nuk po them se nuk është. Jepja mikrofonin të shprehë mendimin.
Qytetarja: Problemi kryesor janë krimet e komunizmit. Ky sistem ka gjeneruar breza që sot nuk dinë të shkruajnë. Sot na dalin njerëz që nuk zbatojnë ligjet e ndryshme. Ju duhet të filloni duke u marrë me krimet e komunizmit që të keni vërtetësi si parti.
Sali Berisha: Padiskutim.
(Ovacione nga salla)
Sali Berisha: Jepja mikrofonin. Të lutem. Mundësisht jepja. Nuk prish punë. Çështja që shtron Stela është çështja më e rëndësishme. Ta dëgjojmë.
Qytetarja: Bëhet fjalë për të ardhmen e brezave.
Sali Berisha: Mos na prishni punë.
Qytetarja: Ju zoti Berisha duhet sot t’ua mbushni mendjen diasporës të kthehet në shtëpi. Jo t’ia hiqni mikrofonin, nuk është e drejtë.
Sali Berisha: Unë jam i gatshëm t’iu pres në Tiranë në një takim.