Edhe ditën e sotme banorët e Laknasit janë përplasur me punonjësit e firmës private që do të ndërtojë thertorem në “Plepat e Brukës”. Ndërsa ndodhin përplasjet, policia nuk ka ndërhyrë dhe as nuk është përpjekur të mbrojë banorët.
Kjo gjë ka çuar në përplasje fizike mes banorëve dhe punonjësve të firmës, ndërsa sërish policia nuk është afruar për të bërë të mundur shuarjen e konfliktit.
Mosveprimi o policisë ka irrituar edhe banorët, të cilët kanë kërkuar llogari për këtë qëndrim kaq pasiv.
“I lutem shtetit shqiptar të vijë këtu se policia nuk vjen këtu në vendngjarje. Mos bo gabim të futesh në territor, largohu, largohuni prej këtu.
A janë tu pa që të vriten njerëzit, të vijnë këtu se prandaj kanë ardhur”, u drejtua njëra prej banoreve ndaj policisë.
Ndërkohë, ditën e djeshme banorët sërish të vetëm janë gjendur përballë kërcënimit të makinerive të firmës, e cila edhe pse çështja është ende në shqyrtim nga Gjykata, vazhdon e pashqetësuar të bëjë lëvizje që shkelin ligjin, edhe në praninë e policisë.
Gjykata Administrative e Apelit nuk ka marrë ende një vendim për çështjen në fjalë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 20 tetor. Në seancën e kaluar nuk u mor një vendim për shkak të mungesës së aktit të ekspertimit.