Ditën e sotme është kryer ceremonia e vendosjes së yllit të Saimir Hoxhës në harkun e Dëshmorëve të Atdheut. Gjatë fjalës së tij para familjarëve që qëndronin në shi, kryeministri Edi Rama tha se humbja e një polici shkon përtej familjes dhe prek shpirtin e një shoqërie dhe të një vendi.
Rama tregoi se ndjen lehtësim kur mendon se fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm, por shteti do të përkujdeset për ta deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë. Kryeministri bëri me dije se familjes i janë akorduar 50 milionë lekë, por kjo nuk është asgjë në raport me humbjen.
Fjala e Ramës:
Shumë të nderuar familjarë të Saimirit, shumë të nderuar miq dhe kolegë të tij, padyshim që ky është një moment jashtëzakonisht i rëndë për ju dhe në tërësi, është një moment aspak i lehtë për të gjithë bashkësinë tonë, pasi humbja e jetës në krye të detyrës të një punonjësi policie, është një humbje tragjike që shkon përtej familjes, dhe prek shpirtin e një shoqërie dhe të një vendi. Sot ne kemi këtu për të kryer ceremoninë e vendosjes së yllit të Saimirit në harkun e dëshmorëve të atdheut.
Nuk dua të zgjatem se ky shi që po bie rrëmbyshëm i thotë më mirë se të gjitha fjalët ndjenjat tona. Por ndjej një lehtësim kur mendoj se fëmijët e dëshmorit nuk do jenë vetëm dhe ne do përkujdesemi përta siç kemi nisur tashmë, deri kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë.
Natyrisht që 170% e pagës së babait për fëmijën nuk thotë asgjë në raport me humbjen. Natyrisht që as ata 50 milionë lekë që ia akorduam familjes nuk thotë asgjë në raport me humbjen. Por është një lehtësim kur të mendoj se nuk do u mungojë asgjë përvec prezencës së babait që ne nuk e zëvendësojmë dot.