Në prangat e Policisë së Bulqizës ka rënë një person pasi akuzohet për kanosje. Mësohet se 29-vjeçari është kallëzuar nga përgjegjësi i Zyrës Arsimore Bulqizë, se e ka kanosur dhe mbajtur në automjet.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se 29-vjeçari i arrestuar Aleksandër Koçi, e ka kanosur dhe e ka mbajtur në automjet, pa dëshirën e tij përgjegjësin e Zyrës Arsimore Bulqizë, Kujtim Kurti.
Sipas informacioneve Aleksandër Koçi, i kërkonte Kurtit që t’i rikthente familjarët e tij në vendet e punës. Ai është arrestuar nga policia për veprat penale “Kanosja” dhe “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese”.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u arrestua në flagrancë shtetasi:
A.K., 29 vjeç, banues në Shupenzë, pasi shtetasi K. K., 52 vjeç, me detyrë përgjegjës i Zyrës Arsimore Bulqizë, ka bërë kallëzim se 29-vjeçar e ka kanosur dhe e ka mbajtur në automjet, pa dëshirën e tij, me qëllim që t’i rikthente familjarët e tij në vendet e punës”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Kanosja” dhe “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese”., thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.