Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka pritur ditën e sotme në takim një delegacion të ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Sipas informacioneve të marra mësohet se fokusi i diskutimit ishte raporti përfundimtar i monitorimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, konkluzionet dhe rekomandimet.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste shprehu gadishmërinë e mazhorancës për t’u ulur sa më parë në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojë për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Gjiknuri falenderoi përfaqësuesit e ODIHR-it për kontributin e tyre si në procesin e hartimit të reformës elektorale përpara zgjedhjeve ashtu edhe në monitorimin e mëpasshëm të procesit zgjedhor. Gjiknuri konstatoi se zgjedhjet e 25 Prillit ishin një hap i rëndësishëm përpara në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për një proces në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare.
Sipas Damian Gjiknurit, dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane. Në këtë frymë, Gjiknuri tha se Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale.