Presidenti Ilir Meta i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” nënkomisarit Artan Hoxha, i cili u vra dje në krye të detyrës në Lezhë.
Hoxha u shpall edhe dëshmor të atdheut, ndërsa për të u mbajtën homazhe në “Pallatin e Kongreseve”, ku të pranishëm ishin familjarë, kolegë e zyrtarë të lartë të policisë.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i akordoi sot Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha (pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin:
“Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në Dekoratën e dhënë nga Meta.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme, ku Saimir Hoxha u qëllua dy herë me armë zjarri nga 21-vjeçari Aldi Rama. Ai dhe kolegë të tjerë po ktheheshin pasi kishin asgjësuar 110 bimë kanabisi, ndërsa rrugës kanë ndaluar makinën ku ishte Rama dhe Hoxha i ka kërkuar atij dokumente. 21-vjeçari nuk ka pranuar dhe ka qëlluar drejt nënkomisarit, duke i shkaktuar vdekjen. Më pas Aldi Rama tentoi të vrasë veten me armë zjarri dhe ditën e sotme ndërroi jetë në spitalin e Traumës.