Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e sotme në Lezhë, ku një efektiv i krimeve u qëllua për vdekje nga 21-vjeçari Aldi Rama, gjatë një kontrolli antikanabis në atë zonë. Krimi ndodhi në Ishullin e Lezhës, ku i vrarë mbeti Sajmir Hoxha, ndërkohë që autor i krimit ishte 21-vjeçari Aldi Rama, i cili më pas ka qëlluar veten dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas informacioneve të marra deri më tani, portali “BalkanWeb”, duke iu referuar hetimeve të deritanishme të Prokurorisë, ndërtoi dinamikën e ngjarjes.
Mësohet se ditën e sotme Policia e Shtetit ishte informuar se në Ishullin e Lezhës kishte një parcelë me kanabis, ndërsa sinjalizoi policinë e Lezhës. Kjo e fundit pasi mori detyrën përsipër, nisi drejt kësaj zone një grup inspektimi të përbërë nga tre persona, i kryesuar nga shefi i krimeve, viktima dhe një koleg tjetër.
Pas dy orë kërkimesh, policia arriti që të gjente parcelën me kanabis dhe e shkatërroi atë.
Mësohet se në këto zona ka shumë kamera sigurie, të cilat kanë filmuar edhe skenën e krimit. Ndërkohë, pak pasi do të ktheheshin drejt komisariatit, policia ka ndaluar një automjet dhe i ka bërë thirrje që të ndalonte. Brenda mjetit mësohet se kanë qenë 3 persona, Armando Marku, Kristian Sheri dhe Aldi Rama, ky i fundit autori i dyshuar i ngjarjes.
Sipas të dhënave, makinën po e drejtonte Armando Marku. Gjatë bisedës oficeri i ndjerë ka tentuar që të ndalojë Aldi Ramën. Lala tha se polici i ka bërë thirrje të riut që të identifikohej. “Ndalo! Unë jam punonjës i policisë dhe dua që të identifikohesh”. Por në atë momentet ai nuk është ndalur, por ka qëlluar 2 herë në zemër efektivin, duke i marrë atij jetën. Dy personat e tjerë me të cilët ishte Aldi Rama, janë aktualisht të shoqëruar në polici.
Autori i dyshuar, i cili pas disa orësh në arrati ka qëlluar vetën dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, rezulton të jetë person i njohur për policinë. Më 6 maj ai është arrestuar, pasi u kap me 30 doza drogë, ndërkohë që i riu pretendonte se ishte dhunuar. Për këtë fakt ai fitoi edhe masën ‘arrest shtëpie’ të cilën sot rezultoi se e kishte thyer. Po ashtu mësohet se 21-vjeçari i kishte prindërit e divorcuar, ndërkohë që pas arratisë ai u fsheh në një zonë të pyllëzuar, ku edhe ka tentuar të vrasë veten.