Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punimeve te Piramida, këtë herë me praninë e arkitektit me famë botërore, Winy Mass, i cili ka realizuar projektin për transformimin e godinës ikonë në Tiranë, në qendrën më të madhe ICT në rajon për aftësimin e të rinjve me njohuri në kodim dhe teknologjinë e informacionit. Ne inspektim morën pjese edhe bashkëdrejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan te Zhvillimit, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.Veliaj tha se tashmë Piramida është në një faze ku duhen marrë disa vendime të rëndësishme.
“Një nga vendimet e rëndësishme është se nga 5 katet e Piramidës, vetëm dy kate do t’i përdorim për shkollën Tumo, tre të tjerat do të jenë të hapura për publikun. Pra, do të jetë një mundësi që prindërit teksa presin fëmijët, te shohin një panair, ose të përdoret nga ekipet e teknologjisë ose nga kompani start-up. Ne duam që i gjithë qyteti të ketë akses te Piramida. Kështu që, praktikisht ndërtesa i rikthehet qytetit. Për sa i përket fasadës, të gjithë fëmijët e viteve 80 dhe 90-të, duan atë rrëshqitësen e famshme, por disa janë mësuar me festivalin e filmit dhe me kinemanë verore, por edhe gjelbërim”, sqaroi Veliaj, teksa theksoi se vitin që vjen kur Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do ketë stolinë më të bukur për të rinjtë shqiptarë.
Arkitekti Winy Mass dha disa detaje më specifike se si po vijon ndërtimi i Piramidës.
“Është emocionuese, jemi afër përfundimit. E kemi hapur ndërtesën dhe e kemi përshtatur në një mënyrë që krijon më shumë hapësirë dhe akses për publikun. Kemi filluar të testojmë shkallët, në mënyrë që të japin më shumë siguri për njerëzit që do i përdorin. Jemi duke punuar me fasadën për ta mbajtur sa më të hapur të jetë e mundur. Bëhet më e fortë dhe më pëlqen sepse bëhet më racionale dhe më historike gjë që iu jep përgjigje shumë njerëzve që diskutojnë pse jemi duke e bërë këtë, pse po e mbajmë kështu strukturën dhe ky është mesazhi”, vuri në dukje Mass.
Në fund kryebashkiaku tha se çdo gjë që po ndërtohet në Tiranë po bëhet me materiale të forta çelik edhe beton të markës më të lartë dhe të standardeve më të larta europiane, për t’i bërë ballë çdo lloj fenomeni natyror.
Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër multifunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese. Plani synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa është e arritshme nga të gjitha anët.