Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e vendimit të apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të dënuar me dy vite burg ish-kryeporkurorin Adriatik Llalla.
Në shtëpinë e Llallës kanë shkuar disa efektivë të policisë, për të bërë të mundur arrestimin e tij. Blutë kanë hapur derën e banesës, e cila fillimisht ishte e mbyllur, megjithatë Llalla nuk rezulton të jetë në Shqipëri, por javët e fundit ka shkuar në Turqi.
Kujtojmë që apeli i GJKKO la në fuqi vendimin e shkallës së parë të GJKKO-së për të dënuar Llallën me dy vite burg. Vendimi përfshin gjithashtu heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet dhe konfiskim të pasurisë. Llalla akuzohet për “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehje ose deklarim i pasurive, interesave privat të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Lidhur me vendimin e ditës së sotme reagoi edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila tha se prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime ndaj zyrtarëve të cilët keqpërdorin detyrën për t’u pasuruar. Kim shtoi se askush nuk është mbi ligjin, ndërsa u shpreh se i vjen mirë që drejtësia po punon ndaj zyrtarëve të korruptuar.