Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu me anë të një postimi në rrjetet sociale ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me reciprocitetin që ka vendosur Kosova për targat e automjeteve që hyjnë nga kufiri me Serbinë. Ai ka komentuar edhe statusin e bërë nga kryeministri Edi Rama, pak më parë në rrjetet sociale, ku shkruan se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin me dialog këtë çështje.
Tritan Shehu e ka quajtur kryeministrin Rama “rrufepritësin” e Vuçiçit, ndaj kërkesave të drejta që ka Kosova.
Më tej ai ka komentuar edhe thirrjen që kryeministri Rama i bënte BE-së, për ndërmjetësimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me këtë Shehu ka ironizuar kryeministrin duke e quajtur “tellall të Ballkanit të Hapur”. Ai ka vazhduar më tej duke thënë se kryeministri me dashakeqësi i përmendi Kosovës taksën që vendosi për mallrat me 100%.
Gjithashtu ai ka theksuar se reciprociteti është në themel të marrëdhënieve midis shteteve sovrane, “A-ja” e bashkëjetesës së lirë midis vendeve dhe popujve.
Postimi i plotë i Tritan Shehut
Rama, “rrufe pritese” per Vucic ndaj kerkesave te drejta te Kosoves.
Ai, tellalli i “Ballkanit te hapur” ku pikerisht Brukseli perjashtohet, sot po kerkon qe “BE te ndermjetesoje” per targat!?
Kete deklaron Rama para pak, duke ndare dhe detyrat: “Kosova te dialogoje, Serbia te bashkepunoje”
Dhe me keq dashje i permend Kosoves taksen 100%, kur pikerisht ne kete rast qendrimi, qe u mbajt nga nderkombetaret per ate, duhet te implementohet tashti ndaj Serbise, pikerisht per te pranuar reciprocitetin, jo vetem per targat, por ne pergjithesi ne maredheniet me Kosoven.
Ne vend qe Kryeministri i Shqiperise te solidarizohet plotesisht me Kosoven duke e inkurajuar ate per zgjerimin hapave te reciprocitetit, ai perpiqet ta minimizoje kete vetem me targat, “duhet shmangur bumerangu i ngrirjes se konfliktit ne kete pike”. Indirekt keshtu ai fajeson Kosoven si burim konflikti e i kerkon asaj te mos vazhdoje me kerkesat e saj per zgjerimin e reciprocitetit.
Reciprociteti eshte ne themel te maredhenieve midis shteteve sovrane, “A-ja” e bashkejeteses demokratike e te lire midis vendeve e popujve.
Pa dyshim jo brenda “Jugosllavise se Re” te Vucicit kjo, por ne nje hapesire demokratike sic eshte BE.