KQZ ka dalë ditën e sotme në një deklaratë ku dhe ka dhënë vendimin mbi ankesat e bëra në lidhje me aktivitetin e Gerta Durakut, nga “Qëndresa Qytetare” në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur me 5 mijë lekë drejtorin e shkollës “Shën Mëri” në qytetin e Kukësit, pasi ky person lejoi aktivitetin politik brenda ambienteve të shkollës, të kandidates së Partisë Socialiste , aktualisht deputete, Gerta Durakut.
Ndër të tjera Celibashi ka thënë se vetë drejtori i shkollës e ka pranuar faktin se aktiviteti është zhvilluar në territorin e shkollës. Po ashtu ai ka bërë me dije se u provua pretendimi i “Qëndresës Qytetare” dhe për këtë në fund të mbledhjes u mor vendimi për të gjobitur drejtorin e shkollës Shën Mëri.
“Në lidhje me ankimin për aktivitetin e kandidates së zonja Gerta Duraku, rezultoi i provuar pretendimi, sipas të cilit është zhvilluar në ambientet e shkollës Shën Mëri Kukës. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, ky aktivitet është i ndaluar, edhe vetë drejtori i shkollës e pranoi faktin se aktiviteti është zhvilluar në territorin e shkollës. KQZ merr masën dënim me gjobë për drejtorin e shkollës Shën Mëri me vlerë 5 mijë lekë”, u shpreh Ilirjan Celibashi.