Dhjetori ishte muaji i studentëve. Protestat e tyre “shkundën” qeverinë dhe u finalizuan me 8 kërkesa.
Pavarësisht thirrjeve të shumta nga ana e kryeministrit Edi Rama për dialog, studentët nuk pranuan, ndërsa pas janarit protesta e tyre kaloi në bojkot e ngujim në godinat e Fakulteteve.
E megjithatë pavarësisht mosbindjes nga ana e studentëve, Rama ashtu siç kishte thënë disa herë publikisht do t’i plotësonte të gjitha pikat e tyre, madje dhe më tepër, por duhej dialog.
Sot jemi në fazën që protestat janë mbyllur dhe studentët i janë rikthyer normalitetit mësimor. Po 8 pikat?
A po plotësohen ato?
Si kërkesë e parë e studentëve ishte: Rritja e buxhetit të arsimit në 5% të GDP, me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e infrastrukturës dhe mësimdhënies (universitete dhe konvikte).
Sa i përket kësaj pike gjatë muajit janar 2019, u vu në zbatim përgjysmimi i tarifave me 50 për qind.
● 100% për studentët me mesatare 9 deri në 10, për studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe për të verbërit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë. Këto dy kategori mund të kenë edhe një bursë prej 100 USD.
● 75% për studentët me mesatare 8 deri në 9
● 50% për studentët me mesatare 6 deri në 8
(50% po ashtu me mesatare më të ulët se sa 6, por deri në fundvitin akademik 2019-2020. Kjo bëhet për një mundësi të barabartë në një start të ri dhe për këtë arsye asnjë student, pavarësisht mesatares, nuk do të paguajë më shumë se sa 50% të tarifës deri në vitin e ardhshëm akademik).
Kjo pikë e studentëve plotësohet pjesërisht, duke lënë pezull atë të rritjes në 5% të PBB-së të buxhetit të arsimit.
Pika e dytë: Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online është kërkesa e dytë e studentëve.
Në lidhje me këtë kërkesë, qeveria bëri të ditur se ka marrë vendimin “Për garantimin e transparencës financiare në institucionet publike të arsimit te lartë”.
Kështu parashikohet krijimi i portalit të transparencës dhe të trajtimit të ankesave me qëllim garantimin e transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë. Portali të jetë i aksesueshëm nga të gjithë dhe në të të publikohen on-line: Të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të çdo institucioni të arsimit të lartë; Duke filluar nga viti buxhetor 2019, bordi i administrimit të institucionit të arsimit të lartë, nëpërmjet administratorit, të përcjellë çdo tre muaj, për publikim, të dhënat e detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare.
Në këtë vendim është përcaktuar të publikohen të dhënat për bursat dhe stimujt financiarë të ofruara nga shteti për studentët, CV-të e pedagogëve, si dhe rezultatet e kontrollit dhe të verifikimit të titujve shkencorë.
Për plotësimin e këtyre kritereve, Qeveria parashikon me këtë vendim krijimin e strukturave përgjegjëse për kontrollin e transparencës së arsimit të lartë për trajtimin e ankesave në platformën e transparencës on-line, kontrollin e transparencës. Si afat për realizimin e këtyre kërkesave është prilli i vitit 2019.
Kërkesa e tretë: Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
Aso kohe Rama (në dhjetor) u shpreh se: “Sot kam firmosur Urdhrin e Kryeministrit – Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për hartimin e modelit të statutit për institucionet publike të arsimit të lartë. Statuti Tip do të lehtësojë punën e IAL-ve për miratimin e statuteve të tyre, nga ku do të nisi procesi i zgjedhjeve te Këshillave Studentorë dhe Komisioneve të Përhershme. Cila do jetë zgjidhja? Mbyllja e procesit të statuteve te IAL-ve Publike; Asistencë Ligjore për ta nëse paraqitet e nevojshme. Hapja e zgjedhjeve për Këshillat Studentorë. Monitorimi i Komisioneve të Përhershme dhe përfaqësimi në të i Studentëve në përputhje me Statutin”, theksoi kryeministri.
Ndërkohë deri më tani në portalin ” Shqiperiaqeduam.al” u është dhënë një hapësirë studentëve për të adresuar kërkesat e tyre.
PIKA 4: Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
Për realizmin e kësaj nismeje janë marrë dy hapa nga qeveria.
I pari ka të bëjë me miratimin e VKM-së, “Për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore”.
Ndërsa hapi i dytë është hapja e konsultimit publik të projektligjit “Për kodin e sjelljes për integritet në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”. Afati i realizimit është Qershor 2019.
PIKA 5: Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
Është miratuar VKM “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të administrimit, në institucionet publike të arsimit të lartë përfaqësues të Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin”.
PIKA 6: Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019.
Nga Shkurti 2018 e në vazhdim ka pasur një sërë komunikimesh për këtë qëllim me Komisionin Europian, jo vetëm për përfshirjen e Shqipërisë në Kartën Europiane te studentit, por dhe për të siguruar një asistencë të vazhdueshme nga pala franceze për këtë projekt.
Në nëntor 2018, është lidhur marrëveshja dypalëshe nga QSHA dhe ekuivalenti i saj Francez në përgatitjen dhe implementimin e European Student Card në Shqipëri.
Procesi ka kërkuar kohë për tu realizuar, pasi kërkohet përfshirja nga institucione vendore, qendrore dhe biznesi. Mungesa e përvojës dhe kulturës për shërbime të favorizuara për studentët. Mungesa e gatishmërisë së institucioneve për të mundësuar shërbime të dedikuara.
Për momentin është duke u draftuar një udhëzues teknik për mënyrën e aplikimit dhe çështje të tjera teknike që kanë lidhje me formatin dhe të dhëna të kartës, aplikimin online, etj., i cili do të marrë formë ligjore pas përfundimit të softit për aplikimin e kartës.
Afati i zbatimit: Shtator 2019
PIKA 7 dhe 8. Ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe dhe vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve janë dy kërkesat e fundit të studentëve.
Qeveria ka miratuar një VKM, “Për ngritjen e komisionit të përcaktimit të literaturës akademike ndërkombëtare në institucionet e arsimit të lartë, që do të përkthehen në gjuhen shqipe”, duke pretenduar se hedh një hap të madh në përmirësimin e titujve akademik, në IAL-të e vendit.
Brenda muajit Mars të vitit 2019, u tha se do të fillojë funksionimi i bibliotekës dixhitale, që do të jetë e aksesueshme nga çdo student e staf akademik në të gjithë vendin.
Sa i përket pikës së tetë, kryeministri bëri të ditur se ka firmosur Urdhrin, “Për ngritjen e Grupit të Punës për ndryshimin e VKM-së për Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë”, në mënyrë që të adresojmë në këtë Kod shumë nga shqetësimet e ngritura nga studentët.