Vetëm gjatë muajit shtator të këtij viti dy gra përfunduan të vrara në Shqipëri, duke iu shtuar listës së gjatë të grave të vrara në vendin tonë, që pas zhurmës së madhe mediatike, përfundojnë thjesht shifra në arkivat e policisë.
Ditën e djeshme Divjaka u trondit nga një krim i rëndë në familje, ku Hekuran Rasa vrau bashkëshorten e tij Fëllënxa Rasa me armë zjarri, e më pas vrau edhe veten. Tragjedia thellohet edhe më shumë për faktin se prej dy vitesh, Fëllënxa Rasa ishte pajisur me urdhër mbrojtje, mirëpo vazhdonte të jetonte nën një çati me bashkëshortin, i cili mbrëmjen e djeshme i mori jetën
Po gjatë këtij muaj, një krim i rëndë tronditi vendin. Elton Metaj vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij 23-vjeçaren Sabrina Bengaj në Zhupan të Fierit. Edhe Sabrina ishte e pajisur gjithashtu me urdhër mbrojtje, por kjo nuk e ndaloi Metajn t’i afrohej shtëpisë së prindërve të saj dhe ta qëllonte me armë zjarri teksa ishte duke darkuar.
Menturie Bici mbeti e vrarë disa muaj më parë në Librazhd. Edhe ky një krim i paralajmëruar. Qemal Bici, bashkëshorti vrasës, e kishte kërcënuar edhe në ambientet e komisariatit se do ta vriste, mirëpo askush nuk reagoi për këtë deri në momentin tragjik. Madje dëshimtë e atëhershme lanë të kuptohej se policia nuk kishte bërë asgjë pas çdo denoncimi, por vetëm e kishte marë në pyetje Qemal Bicin dhe e kishte lënë të lirë.
Liljana Buzo u vra në dyert e Gjykatës së Elbasanit nga bashkëshorti Iisaj polic, Koço Buzo. Prej kohësh ata ishin në proces divorci dhe Liljana Buzo kishte një urdhër mbrojtje për dhunë në familje. Sërish, krimi ndodhi dhe ndodhi pikërish në vendin ku 54-vjeçarja duhet të ishte më e mbrojtur.
Fëllënxa Shirja ishte gruaja tjetër që përfundoi e vrarë nga bashkëshorti i saj. Në pritje të seancës përfundimtare për divorcin, Bilbil Shirja e dogji 48-vjeçaren në makinë e më pas vari veten.
Sanije Bandulla dhunohej vazhdimisht nga bashkëshorti derisa ai i mori jetën. Fadil Bandulla qëlloi 83-vjeçaren me automatik, ndërsa disa ditë më parë ajo kishte përfunduar në spital si pasojë e dhunës. Policia nuk bëri asgjë për të ndaluar autorin, duke lejuar që ai t’i merrte jetën 83-vjeçares.
Këto janë vetëm disa nga rastet që në Shqipëri gratë kanë mbetur viktima të dhunës në familje. Të gjitha më sipër ishin me urdhër mbrojtje ose policia kishte dijeni për dhunën e ushtruar ndaj tyre. Mirëpo askush nuk reagoi! Bashkëfajtor për vrasjen e grave në vendin tonë është shteti dhe institucionet ligjzbatuese, të cilat jo vetëm që nuk e kanë kryer detyrën, por kanë lënë të ndodhë një krim i paralajmëruar. Ashtu si autori i krimit edhe këto instutucione e meritojnë jo më pak gjykimin.
Gratë e vrara në Shqipëri gjatë këtij viti:
- Sabrina Benga
- Menturie Bici
- Klarita Ismalaja
- Diana Vukaj
- Zhaneta Metani
- Kristina Bardhi
- Liljana Buzo
- Fëllënza Shirja
- Irvana Hyka
- Sanije Bandulla
- Violeta Gurraj
- Nafize Markja
- Fëllënxa Rasa