Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin Burrel-Milot.Mësohet se një makinë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur dhe si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur pesë persona. Njëri prej të tyre, pasi ka marrë ndihmën e parë në Burrel, është transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar duke qenë se është në gjendje më të rënduar. Ndërkohë, anëtarët e tjerë të familjes janë dërguar në Spitalin e Burrelit.
Bëhet me dije se aksidenti ka ndodhur në fshatin Baz të Burrelit dhe personat që kanë mbetur të plagosur janë anëtarë të një familje nga Dibra. Nuk dihet ende gjendja e të plagosurve që pësuan lëndime si pasojë e aksidentit të ndodhur mëngjesin e kësaj të diele. Po ashtu nuk dihet ende se cili ka qenë shkaku i aksidentit, ndërkohë që policia dhe grupi hetimor janë nisur drejt vendit të ngjarjes në mënyrë që të bëjnë të mundur sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. Nga ana tjetër, dita e sotme karaterizoet nga lagështira dhe reshjet e shiut, gjë që edhe mund të ketë ndikuar në aksidentin që ndodhi, duke bërë që makina të humbasë kontrollin dhe të dalë nga rruga.