Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të ketë një rubrikë të re për çdo denoncim, ndërsa ata që nuk thonë të vërtetën do të mbajnë përgjegjësi ligjore për akuzën. Gjatë mbledhjes së qeverisë Rama tha se kush shkel në dërrasë të kalbur dhe abuzon me fonde publike, nuk do të ketë pas as atë e as Partinë Socialiste.
“Do ketë një rubrikë të re për çdo denoncim. Kush nuk do të thotë të vërtetën do marrë përgjegjësinë morale dhe ligjore në lidhje me akuzën, pretendimin dhe denoncimin. Unë jap një porosi që nuk ndryshon. Vendin nuk ta mbaj unë duhet ta mbash vetë. Kjo vlen për dyshemenë ku shkel. Kush shkel në dërrasë të kalbur punën e ka me organet ligjzbatuese dhe jo me mua as me qeverinë. As mua as Partisë Socialiste nuk do na kenë mbrapa kush do hedhë një hap larg kësaj dyshemeje. Kush abuzon me fonde publike”, tha Rama
Ai gjithashtu u bëri thirrje ministrave të mos shpërqendrohen nga sulmet e padrejta dhe tha se nuk do të pranojë asnjë justifikim para cilësisë së marrëdhënieve të qeverisë me çdo njeri që troket për të zgjidhur një hall.
“Nga llafet dhe akuzat nuk do shpëtojnë kurrë edhe sikur të flini vetëm gjumë., Mund dhe puna janë ato që vlejnë. Të tjerat i merr të gjitha era e harresës. Mos u shpërqendroni nga sulmet e padrejta dhe thashethemet. Nuk më intereson asnjë reformë, asnjë investim, asnjë rrugë dhe nuk do pranoj asnjë justifikim para cilësisë së marrëdhënieve të kësaj qeverie me çdo njeri që troket në derën tonë për të zgjidhur një hall. Kjo derë është platforma e bashkëqeverisjes”, ka thënë Rama.