Ditën e djeshme gjatë fjalës së mbajtur në parlament ku dhe ka komentuar programin e qeverisë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka hedhur dyshimet për një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryemadhi e vuri theksin te dy projektet e qeverisë Rama, ekzaktësisht tek Porti i Durrësit dhe hidrocentrali i Skavicës, duke hedhur dyshime të forta se në këto projekte janë të përfshirë edhe drejtuesit e PD-së. Në fund me ironi Kryemadhi ka uruar gratë e qeverisë “Rama 3” , për detyrën dhe sërish ka përmendur bashkëpunimin mes opozitës dhe mazhorancës.
‘Zgjedhjet që kaluam na përballën me të pamundurën. Shumë kolegë i përmendën këtu por do dëshiroja që t’i kishin denoncuar të gjitha problematikat që ngritën.
Që me shitblerjen e votës, që me ndihmën ekonomike, që me legalizimet, që me hipotekat, që me koncesionet, duke filluar nga Porti i Durrësit dhe duke vazhduar edhe më tej me hidrocentralin e Skavicës.
Do dëshiroja të shikoja se çfarë ndodh me opozitën? Dhe në fakt ndoshta mua nuk më takon kjo pyetje. Por përkundrazi më takon që të marr disa përgjegjësi të tjera.
Në radhë të parë, për t’ju uruar grave të qeverisë, që janë 12 gra detyrën. Po për të mos qenë kukulla dhe instrument, thjesht firmosës të koncesioneve që ndahen midis njëri tjetrit’, tha Monika Kryemadhi gjatë fjalës së saj në parlament.
Por çfarë lidhje mund të ketë kreu i PD-së me Portin e Durrësit që Monika e hodhi si dyshim në Kuvend? Në muajin korrik u hodhën dyshime të forta, për pazare të mundshme mes kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama për këtë projekt. Edhe pse bëhej fjalë për një aferë të madhe korruptive në atë kohë nuk patëm asnjë reagim zyrtar, nga PD por as nga vetë kryetari Basha. Selia blu vetëm ka heshtur dhe nuk e ka denoncuar. Për më tepër, dukej se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po tenton të mohonte pazaret.
Kujtojmë se në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike me 17 korrik, Lulzim Basha u kujtua për Portin e Durrësit, por duke e përmendur vetëm përciptazi.
“Ligjet bëhen me porosi të klientëve të regjimit, prona private grabitet dhe shkatërrohet, pasuritë natyrore plaçkiten, prona publike vidhet në shkelje të çdo norme dhe përfituesit fshihen në parajsa fiskale, si në rastin e Portit të Durrësit, kësaj mega-afere, konturet e të cilës vetëm sapo nisin të përvijohen.”-tha Basha.
Në muajin korrik një kompani vjen për të investura në Portin e Durrësit. Kompania do të përfitonte qindra hektarë tokë shtetërore falas dhe vinte nga ishujt Kejmen dhe ishte themeluar vetëm pak muaj para se të vinte dhe të investonte në Durrës. Symphony Real Estate Development ka një kapital prej vetëm 10 mijë lekë dhe administrator i saj rezulton shtetasi Oltjan Hoxholli, një avokat partner në studion ligjore LPA. Dokumentet e siguruara nga MCN, tregojnë se në 25 maj të këtij viti, kjo kompani u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit në emrin e Hoxhollit, i cili mesa duket është thjesht një nëpunës i emëruar. Pronari i Symphony Real Estate është një kompani guacke nga ishujt Kejmen e quajtur Symphony Invest limited.
Kush është Oltion Hoxholli?
Nga të dhënat e QKB, Hoxholli rezulton administrator i kompanisë Moveo Albania, e regjistruar më 12 dhjetor 2017 dhe e themeluar më 5 dhjetor 2017. Moveo Albania operon në dizenjimin e softuerëve, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve.
Por, mesa duket, Hoxholli figuron vetëm në letra si administrator i kompanisë Moveo Albania. Erion Isufi, që në qarqet politike dhe mediatike njihet si “kunati i Bashës”, njëkohësisht themelues i Landmark Comunications, në faqen e kësaj të fundit përshkruhet si bashkëthemelues i Moveo Albania, pra ortak i Hoxhollit, me kompaninë e të cilit qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshjen 2 miliardë dollarëshe për rizhvillimin turistik të portit të Durrësit.
Kompania përjashtoi Hoxhollin pas daljes së lajmit
Pas publikimit të lajmit se pas projektit të Portit të ri të Durrësit qëndron edhe Oltian Hoxholli, ka reaguar kompania Moveo Albania ku ai është përfaqësues ligjor i saj. Kompania thotë se nuk ka pasur dijeni që ai ishte i përfshirë edhe në kompani të tjera ndaj ka vendosur ta shkarkojë menjëherë.
REAGIMI
- Oltian Hoxholli është avokat partner në studion ligjore LPA. Prej disa vitesh ai ka qenë përfaqësues ligjor, i zgjedhur dhe si administrator i kompanisë italiane Moveo. Ligji shqiptar kërkon që në rastin e kompanive të huaja, një prej administratorëve të jetë shqiptar dhe kompania italiane Moveo ka zgjedhur si bashkë-administrator të Moveo Albania përfaqësuesin ligjor, Z. Hoxholli para disa vitesh.
- Kompania Moveo Albania ka nisur aktivitetin ne vitin 2018. Objekti i aktivitetit te Moveo Albania është programimi i softuerëve, zhvillimi dhe mirëmbajtja e sistemeve kompjuterike.
- Në asnjë rast as Moveo Albania dhe as partnerët e Moveo Italia nuk kanë qenë në dijeni që shtetasi Oltjan Hoxholli përfqësonte si administrator edhe kompani të tjera. Sapo mësuam sot nga mediat për përfshirjen e tij në rastin e investimit në portin e Durrësit, vendosem shkarkimin e tij si administrator i Moveo Albania me efekt të menjëhershëm.