Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka prezantuar nga foltorja e Kuvendit programin për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. Manastirliu është shprehur se programi i transformimit të shëndetësisë, do të prekë të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor, duke theksuar se zbatimi i Modelit të Autonomisë Spitalore do të jetë kryefjala e kësaj reforme.
“Zbatimi i Modelit të Autonomisë Spitalore do të jetë kryefjala e kësaj reforme. Do ta pilotojmë gjatë 2022, dhe deri në 2025 ky model do të jetë eksportuar në spitalet e tjera. Objektivi ynë është që spitalet tona publike të administrohen, sipas një sistemi që shpërblen mbi bazën e performancës. Një sistem që eleminon çdo abuzim dhe papërgjegjshmëri në kurriz të qytetarëve”, tha Manastirliu.
Ndër të tjera Manastirliu u shpreh se kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të infrastrukturës në gjitha rajonet, duke premtuar se brenda vitit 2025 do të kemi katër pole spitalore.
“Duke investuar në infrastrukturë e teknologji, brenda vitit 2025 do të kemi katër pole spitalore që do të bëhen Qendra Reference Diagnostikuese dhe Trajtuese në katër rajonet. Kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të tjera të infrastrukturës spitalore. Do të finalizojmë brenda këtij mandati projektet e mëdha të modernizimit të spitaleve universitare dhe rajonale. Deri në vitin 2030, ne synojmë ta çojmë financimin publik për kujdesin shëndetësor, në 70% të shpenzimeve totale për shëndetësinë. Eshtë një objektiv ambicioz, por ne jemi të qartë dhe të vendosur: asnjë familje shqiptare nuk duhet të bjerë në varfëri, për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor”, u shpreh ministrja Manastriliu në fjalën e saj.