Kryeministri i vendit, Edi Rama nga foltorja e Kuvendit e ka “akuzuar” kryedemokratin Basha se fjalimin që ka mbajtur ditën e sotme në parlament e kishte të fushatës elektorale. Rama e ka akuzuar për fjalim copy paste dhe më pas ka thënë se nuk priste më shumë nga ai.
“Do të isha i pavërtetë nëse do të thosha që prisja më shumë po sinqerisht si mund të vihet të flitet në emër të opozitës në këtë moment që dhe ju e quajtët shumë të rëndësishëm me një fjalim që është copy paste nga fjalimet e fushatës, treçereku dhe pastaj ca pjesë të tjera nëpër të vetëm përsëritje që mund të jetë dhe shkak i stresit, por nuk është kjo koha që unë të përgjigjem deri në fund. Ke boll kumrie kështu që këtu unë ndalem”, deklaroi Rama.
Kujtojmë se më herët grupi parlamentar i PD-së, ka kërkuar që të ndërpritet seanca plenare për arsye se kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në sallë. Pas rikthimit në sallën e Kuvendit të kryeministrit Basha ka marrë fjalën dhe duket se i ka bërë një “autopsi” qeverisë sepse ashtu si tha ai vetë kufomës së qeverisë shqiptare, me bisturitë e partnerëve ndërkombëtarë duke cituar raporte ndërkombëtare për gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet vendi ynë.
Basha nga foltorja e Kuvendit ka thënë se demokracia shqiptare ka vdekur dhe se ekzekutori i fundit dhe i vetëm është kryeministri i vendit Edi Rama.
Ai ka vazhduar më tej duke thënë se zgjedhjet nuk do të ishin vjedhur në qoftë se Rama nuk do të ishte sot në Kuvend duke treguar prralla sipas tij.