Ish-anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Edit Harxhi ka folur sërish në lidhje me situatën politike në vend. Harxhi ka kërkuar ndër të tjera që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit.
Ajo ka qenë në një lidhje në “Vizion Plus”, ku dhe ka pohuar se vendime antistauore në Partinë Demokratike janë marrë që prej vitit 2017. Harxhi më tej ka thënë se në PD ka humbur drejtësia, vota e lirë, mendimi i lirë dhe se forumet janë të pazgjedhura.
“Anëtarësia e Partisë Demokratike këto ditë vlon, vendimi është antistatutor. Ky vendim nuk është i pari, por i fundit. Vendime të tilla janë marrë që prej vitit 2017. Ajo çfarë nuk është demokratike është marrja e një vendimi të pabazuar në statut…Ne kemi kërkuar largimin e Bashës për një kohë shumë të gjatë. Nuk është hera e parë që bëjmë diçka të tillë. Flasim për drejtësi. Në PD ka humbur vota e lirë, mendimi i lirë, forumet janë të pazgjedhura. Në listën e fundit të Këshillit Kombëtar janë njerëz të emëruar, nuk ka asnjë lloj transparence. Të gjitha këto shkelje sjellin atë që ka vetëm një zgjidhje: e para, do të ishe dorëheqja ose largimi i menjëhershëm i Lulzim Bashës.”
Ndër të tjera Harxhi ka thënë se Partia Demokratike ka nevojë të ngrihet dhe të riformatohet, pasi ndodhet në momente shumë të vështira. Ajo ka thënë se partia në këto momente është e përçarë.
“Duhet të kemi parasysh që Berisha është thjesht anëtar i PD, për të përligjur gjithçka që është marrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i duhet të ndërhyjë të KQZ apo organet e tjera për të nxjerrë në dritë faktet; deri më tani nuk kemi parë asgjë të tillë. Partia është e përçarë, ata që thonë të kundërtën po mundohen të hedhin hi. PD duhet të ringrihet, të riformatohet mbi bazat e idealeve të themelimit të saj, por duke moscenuar në asnjë moment aleancën me SHBA-të dhe BE-në, por për të arritur te kjo, ne na duhet një projekt i ri.”