Situata politike në vendin tonë ditët e fundit ka pasur tensione, të cilat kanë ngjallur debate dhe replika në distancë nga figura të ndryshme politike.
Së fundmi në disa media kanë qarkulluar lajme se pas përjashtimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, Basha ka nisur sherret me deputetët dhe anëtarët e forumeve dhe se i ka urdhëruar ata që të flasin kundër Berishës.
Së fundmi me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai ka shprehur hapur habinë e tij për këtë gjest të Bashës. Manjani më tej ka shtuar se nuk e mendonte kurrë se do të katandiseshin deri në këtë pikë, duke thumbuar në mënyrë të drejtpërdrejt kreun e PD-së, Lulzim Bashën. Ndër të tjera ai ka shkruar edhe një postulat që e ka përdorur diktatori Enver Hoxha dikur: “ Indiferenti është më i keq se armiku”.
“Pra Basha u thotë deputetëve të partisë dhe anëtarëve të forumeve që të shprehen në FB që jeni kundër Berishës. Kështu shmanget mbledhja e forumeve.
Pra shihni me kujdes, nuk thotë jeni të lirë të shpreheni, por shprehuni kundër. Dhe bëjeni tani… ua ua ua ua ua ua. Enver Hoxha nxori një postulat kur njerëzit nuk po spiunonin më tek sigurimi:
“ Indiferenti është më i keq se armiku”.
Ky është standarti që po na risjell këto kohë Luli dhe përkrahësit e tij. Nuk e mendoja kurrë se do katandiseshin në këtë pikë..!
Turp i madh!”, shkruan Ylli Manjani.
Kujtojmë se 1 ditë para nisjes së sesionit të 10 parlamentar, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori vendimin për të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së, ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili u shpall “non grata” nga DASH.