Kancelarja Angela Merkel ka mbërritur ditën e sotme në Shqipëri, ku ndërkohë është pritur në aeroport nga Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, nga ambasadori i Shqiperise ne Gjermani, Artur Kuko dhe ambasadori gjerman Peter Zingraf. Merkel do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe më vonë të dy do të mbajnë një konferencë të përbashkët.
Ministrja e jashtme Olta Xhacka ka përshëndetur përmes një postimi në rrjete sociale pritjen e kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë.
“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin 🇪🇺 të Ballkanit Perëndimor si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë. 🇦🇱🤝🇩🇪” shkruan Xhacka.
Kjo është vizita e fundit e Merkel në Ballkan, pasi në fund të shtatorit dorëzon detyrën si kancelare, pas 16 vitesh. Ndërkohë në kuadër të vizitës së kancelares Merkel në vendin tonë, policia ka dhënë detaje në lidhje me rrugët që do të jenë të bllokuara gjatës vizitës së saj.
Policia bëri me dije se do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave, sot nga ora 09:00 deri në orën 13:00.