Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj ka dhën një prononcim për mediat pas largimit të PD-së, nga seanca plenare që u mbajt pasditen e ditës së sotme. Rushaj ka akuzuar Grupin Parlamentar të PS-së dhe Kryetaren e re të Kuvendit, Lindita Nikollën për shkelje të rregullores, duke qëndruar kështu në një linjë me Bashën.
Gjithashtu ai ka thënë se kjo shkelje e rregullores bëhet për të zvogëluar hapësirën e përfaqësimit të Partisë Demokratike dhe opozitës. Ai ka thënë ndër të tjera se detyra e tyre është që të jenë atje dhe të ngrenë zërin e qytetarëve.
“Sot duhej të ishte një seancë rutinë, normale e kuvendit, ku secila prej forcave politike duhej të zinte vendin e vet në komisionet parlamentare për të bërë detyrën e vet në këtë Kuvend. Për fat të keq, që në seancën e parë me të dyja këmbët u shkel rregullorja. Dhe u shkel për çfarë? U shkel rregullorja për të zvogëluar hapësirën e përfaqësimit të opozitës së Kuvend. Kjo është e papranueshme, kjo është diçka që nuk duhet ta bëjë askush. Prandaj i bëjmë thirrje së pari kryetares së Kuvendit, së dyti grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të zbatojnë rregulloren. Nuk mundet që në asnjë mënyrë të zvogëlojnë hapësirën e përfaqësimit të opozitës në Kuvend. Nuk mundet dhe nuk do ta bëjnë që të zvogëlojnë zërin e opozitës në Komisionet Parlamentare. Detyra jonë është të marrim pjesë atje, të ngremë zërin e qytetarëve dhe të bëjmë opozitën. Ne do të ndjekim çdo rregullore, por ajo çfarë unë jam sot këtu për të thënë, është që Partia Socialiste nuk mundet dhe nuk do ta lejojmë që në mënyrë të hapur të shkel rregulloren.
Nuk kemi pasur komunikim me LSI, pranuam kërkesën e LSI që ata të mund të marrin kohë në këtë seancë që dhe ata të zënë vendin e tyre. Kjo ishte kërkesa jonë që u refuzua nga Partia Socialiste”-tha Rushaj.