Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur ditën e sotme pak para fillimit të seancës parlamentare. Gjatë mbledhjes, mësohet se Taulant Balla është votuar si kryetar i grupit parlamentar, duke u rikonfirmuar kështu në detyrë.
Ndërkohë, para fillimit të seancës kryeministri Edi Rama u ka dhënë disa porosi deputetëve të tij.
“Mos replikoni dhe mos u provokoni nga opozita dhe mos u fokusoni tek ata. Mbroni ligjet që do shqyrtohen në seancat parlamentare”, mësohet t’u ketë thënë Rama deputetëve.
Ditën e sotme do të mbahet seanca e dytë parlamentare për këtë vit. Kujtojmë që seanca e parë u mbajt ditën e premte, gjatë së cilës u betuan deputetët dhe u zgjodh kryetarja e re e Kuvendit, Lidnita Nikolla. Gjatë seancës nuk munguan edhe tensionet nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët grisën fletët e votimit kur po votohej për Kryetarin e Kuvendit. Në momentin që Nikolla nisi të mbante fjalën e saj, deputetët e PD u larguan nga salla e Kuvendit.
Ditën e sotme pritet të ndahen edhe sekretariatet, komisionet dhe byroja. Nga komisonet tre do të drejtohehn nga Partia Demokratike, nga tetë që janë në total, ndërsa pesë do të drejtohen nga PS. PD pritet që të ketë edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit.