Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarejn nga jeta të fizioterapistit të Kombëtares së Futbollit, Ylli Mihali. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se bashkohet me dhimbjen e miqve të Mihalit dhe të krejt komunitetit sportiv. Ai e quajti këtë ditë të zymtë për familjen e tij, e për kuqezinjtë që ishin familja e dytë e Mihalit, që shërbeu për 30 vite me përkushtim në profesion.
“YLLI MIHALI, mjeku fizioterapist i kuqezinjve, njeriu kyç që për vite të tëra u kujdes për fizikun e djemve të Kombëtares, nuk ia doli betejës së tij më të rëndësishme, asaj për jetën kundër Armikut të Padukshëm Covid-19.
Bashkohem me dhimbjen e miqve të Yllit dhe të krejt komunitetit sportiv, në këtë ditë kaq të zymtë për familjen e tij, e për kuqezinjtë që ishin familja e dytë e këtij njeriu të mirë e profesionist, që prej 30 vjetësh shërbeu me përkushtim, duke lënë pas një kujtim të pashlyeshëm për të gjithë ata që e njohën”, shkruan Rama.
Ylli Mihali u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 55-vjeçare, pasi humbi betejën me Covid-19. Ai ishte prej dy javësh në intudim në Spitalin Infketiv. Për 27 vite, Mihali shërbu si fizioterapist pranë ekipit kombëtar dhe klubit të Tiranës.