Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se Serbia kishte pjesëmarrjen më të madhe të importeve në tregun e Kosovës. Serbia renditet e para nga shtetet me importin më të lartë me 6.4%, për 6- mujorin e parë, kurse Shqipëria, e dyta me 5.6% dhe Maqedonia e Veriut, 5.2%. Importet nga vendet e CEFTA-s në periudhën janar-qershor 2021, arritën në 390 milionë euro, ose 19% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67%.
Nga Serbia, importet u rritën me 143%, nga Shqipëria me 61%, nga Maqedonia e Veriut me 26%. Agjencia e Statistikave thotë se nga të dhënat e grupeve kryesore për import, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe, apo 17%, ndjekur nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, me 13.4%.
“Kurse, 13.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9% e përbëjnë mjetet e transportit, 8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike dhe 6.4%, plastika, goma dhe artikujt prej tyre”. Partneri kryesor i Kosovës për importet vijon të mbetet Gjermania (14.2%), e ndjekur nga Turqia (12.9), Kina (9.2%) dhe më pas Serbia (6.4%)
Çfarë po e pengon Kosovën e Shqipërinë të bëjnë tregti
Ndër pengesat kryesore të identifikuara deri më tani kanë të bëjnë me dyfishimin e procedurave për mallrat që kalojnë tranzit në territorin e Shqipërisë; pagesa për skanim të mallrave në Portin e Durrësit, pavarësisht destinacionit final; tarifa e lartë rrugore, çmimet referente, akcizat diskriminuese, dokumentacione shtesë sanitare dhe fitosanitare e shumë të tjera.
Sipas një studimi nga Instituti GAP, me titull “Potenciali tregtar Kosovë – Shqipëri: pengesat dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”, në mars të këtij viti, ka rezultuar se megjithëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve tregtare mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, shfaqen ende pengesa të cilat nuk rregullohen me këto marrëveshje, edhe pse pothuajse në të gjithë sektorët eksportues të Kosovës ka potencial për rritje të bashkëpunimit tregtar me Shqipërinë.
Në anën tjetër, janë identifikuar një mori pengesash të cilat po e bëjnë të pamundur shfrytëzimin e këtij potenciali. Këto pengesa, sipas studimit, janë kryesisht të karakterit teknik, por në raste specifike ato shfaqen edhe në formë të barrierave tarifore.
Ndërkohë, edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, kishte vlerësuar se eksportet e të dyja vendeve janë vështirësuar, për shkak të burokracisë dhe të fuqive të disa korporatave të mëdha që i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës.
“Prodhuesit mes vete kanë disa probleme që i përdorin dhe në këtë mënyrë po bëhet edhe më problematike dhe e pajustifikueshme bartja e disa mallrave të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas. Disa produkte kanë probleme të vijnë në Kosovë nga Shqipëria, dhe disa të tjera kanë probleme të shkojnë në Shqipëri. Produktet, të cilat hasin më së shumti në barriera tregtare në tregun shqiptar, janë kryesisht ato produkte me përmbajtje bimore dhe shtazore, të cilat Kosova i ka me bollëk”, thonë nga AKB-ja. Edhe pse sipas tyre, nuk ka vështirësi shumë të mëdha, pasi 98% e tregut është i liberalizuar në të dyja vendet.
Kurse Oda Ekonomike e Kosovës tha se pengesat më të shumta për eksportuesit e Kosovës kanë të bëjnë kryesisht me barriera jotarifore, të cilat vazhdimisht hasen në tregun e Shqipërisë, përkundër marrëveshjeve të shumta që kanë mbetur ende pa zgjidhje.
“Kryesisht janë probleme që lidhen me barriera jotarifore, të cilat vazhdimisht hasen në tregun e Shqipërisë, të cilat nuk kanë marrë zgjidhje pavarësisht edhe shumë marrëveshjeve dhe diskutimeve, apo edhe si të themi vullnetit të shprehur së paku gojarisht. Tash, problemet lidhen me çështje që kanë të bëjnë me njohjen e certifikatave të ndryshme, testeve të ndryshme laboratorike, pastaj diskriminimeve të caktuara për produkte të caktuara”.
Deri më tani, llogaritet se mbi 70 marrëveshje tregtare janë nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë, por mbi 50% prej tyre mbeten ende të parealizuara.
Eksport me Shqipërinë, Maqedoninë e Serbinë
Kosova me vendet e CEFTA-s eksporton më shumë mallra në Shqipëri. Në periudhën janar-qershor 2021, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 129 milionë euro, me rritje 31%. Eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s përbënin 37.5% të eksporteve të përgjithshme. Partnerë kryesorë për eksport nga këto vende në raport me totalin ishin Shqipëria me 15.3%, Maqedonia e Veriut me 11.5%, Serbia me 5.6%.
Shqipëria është destinacioni kryesor i eksporteve të Kosovës. Në periudhën janar-qershor, eksportet drejt Shqipërisë ranë gjithsesi me 10% në krahasim me 6-mujorin e parë 2020.