Më në fund buxheti i bashkisë Skrapar është zhbllokuar. Ka qenë kreu i bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu i cili ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë qytetarët e kësaj bashkie.
Ndërkohë kujtojmë se dhjetorin e vitit të kaluar Këshilltarët e Partisë Socialiste në bashkinë e Skraparit nuk miratuan projekt buxhetin e bashkisë për vitin 2019, me pretendimin se numri i punonjësve të bashkisë është i lartë.
Në një postim në Facebook, Nesim Spahiu shprehet se është zhbllokuar buxheti i bashkisë për vitin 2019, ndërsa falenderon Ministrisë e Financave që mundësoi vijimin e Veprimtarisë Financiare me 1/12 e buxhetit Faktik si dhe banorët për përkrahjen.
“Të nderuar banorë të Skraparit! Më lejoni të ndaj me ju, lajmin e mirë se situata e Buxhetit për vitin 2019 për Bashkinë tonë mori një zgjidhje. Duam të falenderojmë edhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë që më në fund, mundësoi vijimin e Veprimtarisë Financiare me 1/12 e buxhetit Faktik të vitit paraardhës duke respektuar ligjin. Mirënjohje dhe Falenderim ndaj çdo banori të Skraparit që na ka përkrahur e mirëkuptuar gjatë gjithë kësaj kohe. Kryetari i Bashkisë Skrapar Nesim Spahiu.”- ka shkruar kreu i bashkisë Skrapar Nesim Spahiu.