Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është bashkuar mesazheve për përkujtimin e Nënë Terezës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale presidenti Meta ka shkruar se Nënë Tereza është shëmbëlltyrë e krenarisë kombëtare, solidaritetit dhe humanizmit. Ndër të tjera Meta ka shkruar se të krenohesh me Shën Terezën, së pari duhet të jetësosh veprën e saj
Reagimi i plotë:
“Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, krenarisë tonë kombëtare, shembulli i saj i jashtëzakonshëm i dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit vjen si mesazh frymëzues dhe reflektimi për më pak fjalë dhe më shumë vepra për ndërtimin e një Shqipërie më të dhembshur dhe njerëzore, ku çdo qytetar në nevojë gjen ndihmë, përkrahje, zgjidhje të halleve, përfshirje sociale, shanse dhe mundësi të barabarta. Të krenohesh me Shën Terezën, së pari duhet të jetësosh veprën e saj!”, shkruan Meta.
Po ashtu gjatë ditës së sotme shenjtërimin e Nënë Terzës e kanë përkujtuar edhe figura të tjera të politikës, më herët kryeministri i vendit Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Kujtojmë se më 5 shtator 2016, botës iu shtua një shenjtor, ajo është Nënë Tereza, sot Shenjta Terezë.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.