Në një deklaratë të shkurtër për mediat, ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila u konfirmua në detyrë nga kryeministri Rama, u shpreh se kushdo mund të ishte në këtë post, pasi sipas saj Partia Socialiste ka shumë potencial.
“Kushdo mund të ishte, Partia Socialiste ka shumë potencial, ka shumë profesorë, ka shumë njerëz të përkushtuar” u shpreh Kushi, ndërsa komentoi edhe ndarjen e Ministrisë së saj, dhe krijimin e dikasterit të Rinisë, post i cili do të drejtohet nga Bora Muzhaqi.
“Kryeministri gjithmonë i ka mbështetur të rinjtë, përfshirjen e tyre në vendimmarrjen politike. Nuk është ndonjë suprizë, Bora ka qenë gjithmonë e përkushtuar dhe kam besim se do të punojë mirë. Aq më tepër unë e njoh se e kam patur zv/ministre” përfundoi Kushi.
Për sa u përket aktiviteteve shoqërore politike kujtojmë se, Znj. Evis Kushi është anëtare e Partisë Socialiste që prej Marsit 2013 dhe anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste që prej Prillit 2016. Deri në momentin e marrjes së pozicionit të ministrit, ajo ka qenë Nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Znj. Kushi ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është autore e bashkëautore e një sërë artikujsh shkencorë në revista brenda e jashtë vendit.