Kompania koncensionare e landfillit të Sharrës “Integrated Energy BV” vazhdon t’iu vjelë ndërtuesve taksën e fshehtë për dherat që shkarkojnë aty.
“Integrated Energy B. V” që prej vitit 2017 ka fituar për 30 vjet koncesionin e menaxhimit të mbetjeve të gjithë kryeqytetit.
Në bazë të kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Mjedisit, kompania e cila do të ndërtojë edhe inceneratorin, do të paguhet nga Bashkia e Tiranës me një shumë prej 29 eurosh për çdo ton mbetje organike që depozitohet në landfill, nga mjetet që merren me pastrimin e kryeqytetit.
Por tashmë përpos kësaj shume, individë, apo kompani të ndryshme, të cilat e paguajnë një herë taksën e pastrimit do të duhet të paguajnë një tarifë prej 480 lekësh për çdo ton mbetje të dërguar në Sharrë.
Po kaq paguan edhe bashkia e Tiranës për shkarkimin e dherave në landfill, që duket se ka pranuar “në heshtje” skandalin në fjalë.
Në një vit “Integrated Energy B.V” ka përfituar gati 11 mln $, vetëm nga tarifa që bashkia e Tiranës i paguan koncesionarit të landfillit të Sharrës.
Por skandali është më i thellë se kaq. Sipas asaj që specialisti i mjedisit, Agron Lamko sqaron, i cili për vite të tëra është marrë me çështjen e mbetjeve në Ministrinë e Mjedisit, thotë se vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 2015, i cili i referohet menaxhimit të mbetjeve inerte bie në kundërshtim me ligjin e mjedisit.
Ku sqarohet se dherat nuk cilësohen mbetje dhe si të tilla nuk duhet të përfundojnë në landfill.
Ndërkohë që siç është lartpërmendur kompanitë ndërtuese janë të detyruara që mbetjet e tyre ndërtimore apo dherat t’i depozitojnë aty.
“Vendimi i Këshillit të Ministrave i detyron këto, por VKM-ja bie në kundërshtim me ligjin e mjedisit. Ato nuk janë mbetje të rrezikshme dhe as mbetje urbane. VKM-ja që i detyron kompanitë private të paguajnë për dorëzimin e mbetjeve të tyre inerte në landfill është i gabuar dhe është në kundërshtim me ligjin e mjedisit, që parashikon që dherat duhet të shërbejnë për rehabilitimin e tokave jo produktive, kurse inertet meqenëse nuk ka vend tjetër, atëherë këto mund t’i çojnë në Sharrë për të mbuluar plehrat. Ligji i mjedisit i përjashton dherat dhe thotë që dherat riciklohen, duke i përdorur për rehabilitimin e tokave joproduktive”, – shprehet Lamko.
Lamko shprehet se nuk ka asnjë arsye se përse ndërtuesit duhet të bëjnë një odise kaq të gjatë, duke paguar për shkarkimin e dherave të pakontaminuar në landfill dhe më pas të paguajnë sërish për t’i marrë ato.
“Përsa u përket dherave të pastra të gërmimeve, ato mund të shfrytëzohen shumë mirë për rehabilitimin e tokave, për të pasur një produktivitet më të madh. Unë mendoj që këto kompani s’kanë pse të paguajnë. Ato paguajnë transportin që çojnë deri aty dhe s’kanë pse të paguajnë sepse ajo u shërben këtyre kompanive dhe nuk është e drejtë” – vijon ai
Ndërkohë kthehemi te ato çfarë Bashkia Tiranë depoziton në landfill. Nga të dhënat e Open Data Albania rezulton se Bashkia e Tiranës gjatë periudhës Janar 2018-Janar 2019 ka kryer gjithsej 28 transaksione me landfillin. Në përshkrimin e faturave të publikuara nga thesari nuk përcaktohet shuma që Bashkia e Tiranës i paguan koncensionarit për cdo mbetje organike apo edhe tarifa ekstra që paguhet për dherat e depozituara në Landfill.
Në përshkrimin e faturave mujore përshkruhet vetëm depozitim i mbetjeve urbane për ndërtim landfilli, incenerator dhe rehabilitim.
Prej mëse shtatë muajsh ndërtuesit, shoqatat mjedisore, dhe shoqatat e biznesit denoncojnë tarifat abuzive që landfilli i Sharrës iu merr për çdo kamion me dhera që depozitojnë në Sharrë.
Burimi: Balkanweb