Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Forumi Strategjik i “Bledit” në Slloveni i kërkoi Bullgarisë që të heqë veton për Maqedoninë e Veriut, për t’i hapur rrugën Shkupit dhe Tiranës për çeljen e negociatave. Kryeministri i vendit ndër të tjera i ka kërkuar nga Forumi presidentit të Bullgarisë që t’i hapin rrugën bisedimeve. Për Ramën, bullgarët duhet të bëhen më ballkanas, t’i hapin rrugën bisedimeve e pastaj mund të vendosin pengesat.
“Ne nuk po flasim për t’u bërë anëtarë, kur ne të bëhemi, nuk e di, Macroni që është më i riu do të jetë duke shkruar kujtimet atëherë, ne po flasim për çeljen e bisedimeve.
Do i kërkoj presidentit të Bullgarisë, ju lutem mos jeni kaq tipikë të BE-së, bëhuni ballkanas, hapni rrugën, çfarë po përpiqeni të shpëtoni, hapini rrugën bisedimeve, na lini të flasim me ata dhe pastaj ju mund të bëheni më pas ballkanikë, të vendosni pengesa, por hapni rrugën” tha ai.
Ndër të tjera ai ka shtuar se nuk ka asnjë të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Europian.
“Nuk ka asnjë të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor brenda BE-së. Nëse BE nuk do të vazhdojë kështu nuk do të jetë mirë për ne, por do të jetë edhe keq për BE. Nuk po i jap Ballkanin Perëndimor të gjithë peshën që kemi parë njëri tjetrin kur ishim të izoluar. Por ju përmendët etërit themelues, por nëse do të çoheshin dhe do të ndiqnin këtë diskutim, do të mendonin më të vdekur se gjallë, nuk kam provë, por po kthehen përmbys në varr.”, tha kryeministri i vendit Edi Rama.