Kancelarja Angela Merkel viziton Shqipërinë më 14 shtator. Ajo ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Mësohet se ky takim në Tiranë është edhe një tentativë e fundit që Merkel t’i japë një shtytje partisë së saj, Unionit Kristian-Demokratik (CDU), në zgjedhjet që pritet të mbahen më 26 shtator.
Mes të tjerash bëhet e ditur se kancelarja në këtë vizitë në Shqipëri do të takojë të gjithë liderët e shteteve ballkanike, ku do të mungojë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pasi bëhet fjalë vetëm për drejtues qeverie.
Veç kësaj, burimet thonë se është zgjedhur Tirana, si notë falënderuese e Merkel-it për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, si lideri më aktiv dhe influencues në shtyrjen përpara të synimeve të Procesit.
Merkel e ka vlerësuar në vazhdimësi rolin që ka luajtur Rama dhe kabineti i tij në zvogëlimin e armiqësive në Ballkan dhe relaksimin e raporteve, deri te normalizimi i komunikimit.
Kancelarja, pas takimeve, për të përcjellë mesazhin e saj, do të mbajë edhe një konferencë për media.
Takimin e fundit, ajo pritet ta ketë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku temë diskutimi do të jenë rrugëtimi në procesin e Berlinit dhe agjenda gjermane në Ballkan.