Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë ditën e sotme një intervistë për median e njohur italiane “ANSA” ku iu është përgjigjur një pyetjeje në lidhje me vonesat e vazhdueshme në hapjen e negociatave të pranimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut, si edhe për pasojat e mundshme në Ballkan dhe BE në rast ngurrimi të mëtejshëm.
“Unë nuk jam optimist apo pesimist, thjesht realist. E di, të gjithë e dinë se kjo nuk varet nga ne, por nga Bashkimi Evropian”, thotë kryeministri shqiptar në fillim të intervistës, duke vijuar më tej se “Ne kemi bërë, për më shumë se dy vjet tashmë, gjithçka që ka qenë e nevojshme për fillimin formal të negociatave të pranimit. Por ata ende nuk e kanë mbajtur “premtimin” e tyre për shkak të problemeve të tyre dhe sepse Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut”.
Ai tha se Shqipëria ka bërë gjithçka për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, por vijon të mbetet e bllokuar për shkak të vetos që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut.
“Kështu, në mënyrë krejt të pashpjegueshme, Shqipërisë gjithashtu i duhet të presë që Bullgaria të heqë veton kundër Shkupit. Në çdo rast, unë mendoj se kjo përpjekje na ndihmon të kuptojmë se duhet të ecim përpara sa më shumë që të jetë e mundur, pa e mashtruar veten dhe pa hequr dorë kurrë nga ndjekja e ëndrrës së shumë brezave, ajo për të qenë pjesë përbërëse e Evropës, me çdo kusht”, shtoi Rama, duke kujtuar shprehjen e famshme “me çdo kusht”, e thënë nga Mario Draghi kur ai drejtonte BQE-në. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që plotësuan të gjitha kriteret dhe kërkesat nga Brukseli, kryen reforma të vështira, por ngërçi vazhdon.
I pyetur nga gazetari italian nëse e shikojnë si mundësi apo rrezik ndikimin e Kinës, Rusisë dhe Turqisë në Ballkan, Rama u shpreh se ky është më shumë një mit se sa realitet për shqiptarët.
Në lidhje me priten e afganëve, Rama tha se historia i ka mësuar shqiptarëve se ka një kohë për të dhënë dhe një kohë për të marrë duke kujtuar strehimin e hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore.