Prokuroria e Tiranës ka thirrur si të pandehur ish-drejtorin ekzekutiv të shoqatës “Albautor” (Agjencia Shqiptare e Autorëve) Idar Bistri për akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.
Kanë qenë Elton Deda, Agim Doçi, Eriona Rushiti, Etrita Ibrahimi dhe Sokol Marsi, ata të cilët e kanë kallëzuar në prokurori pasi kanë konstatuar vjedhjen nga llogaritë bankare të një shume prej 35 mijë euro, të cilat ky i fundit i ka vjedhur në ditën e shkarkimit nga detyra.
Por çfarë është “ALBAUTOR”?
“Albautor” është organizatë mbledhëse e të drejtave të autorëve, kompozitorëve dhe botuesve të veprave artistike, letrare, muzikore e audiovizuale. Ajo është themeluar në vitin 1992 si shoqatë e autorëve, kompozitorëve, artistëve dhe botuesve. “Albautor” mbron dhe përfaqëson në territorin shqiptar pothuajse gjithë titullarët e regjistruar në sistemin e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit (të gjithë titullarët e rregjistruar e të njohur ligjërisht në rreth 239 organizata kolektive autorësh të përfshirë në këtë sistem administrimi nga mbi 123 vende anëtare të OKB-së) si edhe organizata të administrimit kolektiv, që nuk janë pjesë e këtyre dy organizatave (nëpërmjet marrëveshjeve përkatëse të reciprocitetit lidhur me to).
Si u vodhën lekët
Duket se shuma e lart përmendur është transferuar në llogarinë e avokatit Eno Bushi, me pretendimin se kishte detyrime për shërbime avokatie, pasi është marrë në fillim nga dy llogari bankare në banka të ndryshme.
Nga hetimet e kryera ndaj të njëjtit avokat kundrejt një deklarate noteriale të shtatorit 2014, Idari i ka njohur një borxh për shumën 1.5 milion lekë të reja për shërbime avokatie për llogari të “Albautor”, po ashtu Bistri i ka njohur edhe avokatit Saimir Kola, një detyrim prej 2.5 miljon lekësh të reja për konsulencë dhe shërbime.
Nga vëzhgimi që i është bërë në atë kohë, sistemit të gjykatës së Tiranës nuk rezultonte të ishte asnjë çështje, ku e përfshirë si palë e paditur të ishte agjensia “Albautor”, për 5 vite 2010 deri në 2015, vite të cilat përkojnë me drejtimin e kësaj agjensi nga shtetasi Idar Bistri.
Për më tepër në dosjen hetimore thuhet se Idar Bistri, llogarinë bankare të “Albautor” e ka lënë në zero dhe për gati një vit anëtarët e kryesisë arritën të ristrukturonin këtë institucion, duke punuar pa asnjë të ardhur financiare, sipas “shqiptarja.com”.
Bistri, pasi ka vjedhur shumën prej 35 mijë euro ka shitur dhe zyrën e “Albautor”, e cila ishte pronë e artistëve, sipas prokurorisë së Tiranës.
Ky veprim dyshohet se është kryer në mënyrë korruptive pasi nga ana e Bistrit është bërë një deklaratë noteriale, ku i është njohur si borxh dy avokatëve Eno Bushi dhe Saimir Kola, për të cilët ai ka lënë si marrëveshje zyrën e “Albautorit” dhe kjo zyrë më pas ka dalë në ankand dhe është shitur me një çmimim të pajustifikueshëm, rreth 37 mijë euro.
Gjithashtu Idari nuk ka lënë në administrim as paisjet e zyrave të Agjensisë “Albautor”, e cila ka funksionuar që prej vitit 1991.
Sipas prokurorisë së Tiranës Bistri ka konsumuar veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe se tashmë çështje penale kundër tij është përcjellë në gjykatën e Tiranës për gjykim.