Një aksident tragjik ndodhi ditën e djeshme në aksin rrugor Muzinë-Jorgucat,ku humbën jetën 5 persona. Policia bën me dije se ka arrestuar Rexhina Çelhaka, 22-vjeçarja që u përfshi në aksidentin e rëndë. 22-vjeçarja, duke drejtuar makinën e saj “Land Rover”, në aksin rrugor Muzinë-Jorgucat, është përplasur me një furgon me drejtues Bardhi Prodo., 51 vjeç dhe për pasojë mjeti furgon ka rënë disa metra poshtë rrugës.
Policia konfirmon se pesë persona humbën jetën, pasi furgoni ra në humnerë.
Viktimat janë shoferi i furgonit, Bardhi Prodo, 51 vjeç dhe një çift të moshuarish Fiqiri dhe Drita Korçari, përkatësisht 77 dhe 72 vjeç, banues në Tiranë të cilët ishin pasagjerë. Ndërkohë, policia konfirmon se kanë humbur jetën, po ashtu Tetiana Fediaieva, 48 vjeçe, banuese në Ukrainë dhe Olesandr Fediaieva, 53 vjeç, banues në Ukrainë.
Po ashtu të plagosura nga aksidenti mbetën katër vajza, mes tyre edhe shoferja e mjetit “Land Rover”. E vetmja e mbijetuar, e cila ndodhej në furgon është Greta Daberdini, 25 vjeçe, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë, lëndime ka marrë edhe shoferja e “Land Roverit”, Rexhina Çelhaka edhe dy të reja Ana Koskovila, 23 vjeçe dhe Giulia Parimi, 22 vjeçe, banuese në Itali, të cilat ishin pasagjere në mjetin e saj.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasen R. Ç., 22 vjeçe, banuese në Tiranë.Kjo shtetase, duke drejtuar mjetin “Land Rover”, në aksin rrugor Muzinë-Jorgucat, është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P., 51 vjeç dhe për pasojë mjeti furgon ka rënë disa metra poshtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i furgonit, shtetasi B. P., banues së Sarandë, pasagjerët F. K., 77 vjeç, D. K., 72 vjeçe,T. F., 48 vjeçe, banuese në Ukrainë dhe O. F., 53 vjeç, banues në Ukrainë.
Gjithashtu kanë mbetur të dëmtuara shtetaset G. D., 25 vjeçe, banuese në Tiranë (pasagjere në mjetin tip furgon), R. Ç. (drejtuese e mjetit “Land Rover”), A. K., 23 vjeçe dhe G. P., 22 vjeçe, banuese në Itali (pasagjere në mjetin “Land Rover”).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut dhe rrethanave të aksidentit.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.