Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ditën e sotme ka inspektuar fazen e dytë të nisjes së punimeve në impiantin e Bovillës si dhe ecurinë për shtimin e kapacitetit të depos së ujit.
Ky është një lajm i mirë për qytëtarët, pasi prej shumë vitesh kanë hasur probleme me ujësjellësit. Veliaj tha se ky do të jetë investimi i fundit makro që po kryhet në Bovillë, që Tirana të ketë furnizim 100% me ujë.
“Lajmi i mirë për qytetarët është se fillojmë investimin e fundit të madh, që jo vetëm 70% e Tiranës të ketë furnizim 24 orë, por 100% e Tiranës të furnizohet me ujë. Në këto 2 vite do të kemi një mega-kantier këtu, do të dyfishohet edhe filtrimi, pra sa ujë mund të futet në rrjet me cilësi, sigurisht edhe dyfishimin e depozitës. Në momentin që dyfishohet depozita do të kemi edhe një shtesë të presionit të ujit. Pas kësaj çlirohemi nga investimet makro dhe kalojmë në investimet kapilare, në çdo lagje”, sqaroi Veliaj.
“Më vjen mirë që një pjesë e furnizimeve do jetë edhe për gjithë qytetarët e Kamzës, do të shkojë për ta. Ujësjellësi i Kamzës nuk ka fuqi ekonomike të ujësjellësit të Tiranës, kështu që më vjen shumë mirë që ky është një investim nga i cili do përfitojnë edhe qytetarët e Kamzës. Ne po rritemi në një simbiozë ku në të dyja anët e Lumit të Tiranës, si Tirana dhe Kamza”, shtoi ai ndër të tjera.
Veliaj falenderoi qytetarët për përgjegjshmërinë dhe që nuk po shpërdorojnë ujin e pijshëm. Teksa theksoi se në kohën kur Lulzim Basha ishte kryetar Bashkie, Tirana kishte vetëm 6-7 orë ujë.