Forcat RENEA kanë kryer një operacion blic në disa qytete të vendit. Kontrolle janë kryer në Durrës, Lezhë e Shkodër, pasi synimi ka qenë kapja e autorëve që ekzekutuan Bledar Muçajn mbrëmjen e djeshme në Lushnje.
Operacioni është ende në vijim dhe ndër të tjera në shënjestër janë edhe persona me rekorde kriminale dhe rrezikashmëri të lartë shoqërore. Kontrollet do të vijojnë gjithashtu në qytete të tjera, ndërsa ka edhe disa persona të shoqëruar, që dyshohet se janë përfshirë në vrasje dhe atentate.
RENEA ka ushtruar edhe herë të tjera kontrolle të befasishme në vend, shpesh pasi ndodhin ngjarje të tilla të bujshme si atentati në Lushnje.
Kujtojmë se ditën e djeshme në një lokal në pedonalen e Lushnjes, u ekzekutua me armë zjarri 40-vjeçari Bledar Muçaj. Po ashtu mbetën të plagosur edhe pesë persona të tjerë, të cilët ishin në vendngjarje në momentin e krimit.
Muçaj u ekzekutua teksa ishte ulur në tavolinën e lokalit të tij, së bashku me kunatin e tij Judin Velo, i cili mbeti i plagosur. Autorët qëlluan me breshëri plumbash nga një mjet tip “Golf” në një kohë që në pedonale kishte lëvizje të shumta njerëzish. Më vonë policia gjeti një makinë të djegur në fshatin Thanasaj të Lushnjes, që dyshohet se u përket autorëve.