Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka marrë pjesë ditën e sotme në një takim të jashtëzakonshëm të NATO-s me homologët e saj për strehimin e afganëve.
Ajo është shprehur se vendi ynë është gati të presë mijëra afganë teksa thekson se është e papranueshme të mos u ofrohet strehim qytetarëve që punuan për NATO.
Xhaçka ndër të tjera ka theksuar se nëse Shqipëria është gati të strehojë afganë, atëherë cili vend anëtar i NATO nuk e bën dot.
“Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të Ministrave të Punëve të Jashtme, takim ky i cili u zhvillua për të trajtuar situatën në Afganistan.
Ministrja Xhaçka rikonfirmoi se Shqipëria është gati të presë fëmijët, gratë e burrat, jeta e të cilëve është në rrezik nga situata e rënduar e sigurisë.
“Edhe pse të gjithë sot kanë në mendje 1000 pyetje e diskutime të mundshme për atë që ka ndodhur dhe atë që do të jetë e ardhmja e NATO-s, çështja kryesore, në fakt e vetme, ku duhet të fokusohemi sot janë gratë, fëmijët dhe burrat afganë që sot rrezikojnë jetën sepse punuan për ne. Është e papranueshme që vendet anëtare të NATO-s të mos arrijnë dot t’ju ofrojnë strehim dhe një jetë të re njerëzve që punuan dhe luftuan për të ardhmen që ne ju premtuam. Nëse Shqipëria e bëka këtë, cili vend në këtë tryezë nuk e bëka dot?!”, tha kryediplomatja Xhaçka gjatë fjalës së saj, ku ndër të tjera njohu pjesëmarrësit edhe me masat e marra nga qeveria shqiptare për pritjen e qytetarëve afganë.
Kujtojmë se talebanët në Afganistan kanë marrë sërish pushtetin duke kontrolluar me forcë territorin e shtetit teksa mijëra afganë bashkëpuntorë ndër vite të NATO-s dhe SHBA duhet të evakuohen pasi u rrezikohet jeta e familja. Shqipëria deri më tani pritet të strehojë përkohësisht 3 mijë afganë, por grupi i parë nuk ka mbërritur ende për shkak të trazirave të vazhdueshme në aeroportin e Kabulit.