Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka falenderuar kryeministrin e vendit tonë për gaditshmërinë që ka treguar për mikpritjen dhe strehimin e refugjatëve afganë. Përmes një postimi në twitter Blinken shkruan se i është mirënjohës Ramës që u ka siguruar strehë afganëve dhe për partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatit të tyre NATO-n.
“Faleminderit Edi Rama për gatishmërinë e Shqipërisë për të siguruar strehë të sigurt për afganët në nevojë. Shumë mirënjohës për partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatit tonë NATO,”- shkruan Blinken.
DASH njoftoi se Sekretari Blinken dhe kryeministri Rama u konsultuan në lidhje me ofertën e NATO -s bërë Shqipërisë për të pranuar përkohësisht afganët në nevojë.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken foli dje me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sekretari dhe Kryeministri u konsultuan në lidhje me ofertën e NATO -s, dhe vendimin e Shqipërisë për të pranuar përkohësisht afganët në nevojë. Sekretari Blinken falënderoi kryeministrin Rama për vazhdimin e traditës krenare të Shqipërisë për strehimin e njerëzve në nevojë. Sekretari dhe kryeministri riafirmuan partneritetin e ngushtë midis dy vendeve tona” mbyllet njoftimi nga zëdhënësi i DASH-it.
Në vendin tonë nuk ka mbërritur ende asnjë afgan, pasi avioni me emigrantë ka ngecur në Kabul mes kaosit. Shqipëria ka bërë gjithçka gati dhe pse ende nuk dihet se sa afganë do të vijnë.