Ditën e sotme kryeministri i vendit Edi Rama, tha se shpifja që studentët janë përzënë nga konviktet për të strehuar afganët ka ardhur nga ata që kanë vulosur ngjarjet më të zeza në 30 vite në Shqipëri.
Lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit ka reaguar edhe Partia Demokratike, duke i dhënë një përgjigje nëpërmjet Albana Vokshi.
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Albana Vokshi me anë të një statusi në rrjetet sociale shkruan se prodhuesin numër një të shpifjeve shqiptarët e njohin mirë.
Ajo gjithashtu ka kujtuar rastin e Griselda Roshit siç thotë ajo për të penguar liberalizimin e vizave. Më tej Vokshi ka thënë “ Turpet e tua nuk i ka harruar njeri, prandaj kursejua qytetarëve shkulmet prej hipokriti”
“Prodhuesin numër një të shpifjeve në këto 30 vite shqiptarët e njohin mirë. Ia njohin bëmat, sidomos ato që nuk synonin vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë, por edhe pengimin e një prej arritjeve më të mëdha për shqiptarët, liberalizimin e vizave. Turpet e tua nuk i ka harruar njeri, prandaj kursejua qytetarëve shkulmet prej hipokriti!”, postimi i plotë i Albana Vokshit.
Kujtojmë se ndër të tjera kryeministri Rama ka thënë se në vendin tonë do të vijnë rreth 3 mijë afganë, të cilët do të strehohen në 3 qytete Durrës, Tiranë dhe Berat. Një pjesë e afganëve që do të qëndrojnë në kryeqytet do të vendosen në “Qytetin Studenti”.