Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pasditen e sotme inspektoi godinat e reja në “Qytetin Studenti”, ku do të vendosen afganët. Gjatë inspektimit ai ka folur edhe për ngjarjen e ndodhur mesnatën e mbrëmshme në ndërtesën “Sarajet e Toptanit”.
Veliaj është shprehur se, kjo ndërtesa në dallim nga Teatri Kombëtar, është Monument Kulture dhe do ruhet si e tillë.
“Dua t’u them qytetarëve se ka muaj që pronarët kërkojnë me çfarëdo lloj mënyre të shmangin shpronësimin e asaj ndërtese. Ajo ndërtesë është Monument Kulture, në dallim nga Teatri prej tallashi apo këndi i lodrave, që nuk kanë qenë Monumente Kulture. Kush ka sy, kush ka veshë mund të dëshmojë që ata njerëz, ata politikanë që ulërinin për Teatrin prej tallashi, që s’ishte Monument Kulture apo këndin e lodrave që s’ishte Monument Kulture, sot heshtin. Ndoshta, prej faktit që janë edhe bashkëpronarë, edhe të interesuar në atë pronë. Por ajo që do të ndodhë është kjo: Qeveria do bëjë një shpronësim total të asaj ndërtese. Të gjithë pronarët do marrin paratë e tyre, ndërtesa do i kalojë Bashkisë së Tiranës dhe do kthehet në një shtëpi muze, ashtu siç ka plot shtëpi muze në Korçë e Gjirokastër, ashtu siç kemi bërë muze shtëpinë e Ismail Kadaresë apo shtëpinë e Dritëro Agollit”, është shprehur Velia.