Që nga dita e djeshme u bë me dije se disa godina të reja studentore në “Qytetin Studenti “, do të vendosen në dispozicion të shtetasve afganë, të cilët pritet që të vendosen përkohësisht në vendin tonë.
Ditën e sotme këto godina i kanë vizituar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarja, Anisa Ruseti. Ata u shprehën se standardi do të vijojë edhe me godina të tjera.
Veliaj në fjalën e tij tha se mesazhi që Tirana duhet të japë për ata qytetarë nga Afganistani të cilët do të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri duhet të jetë “Janë njerëz”.
“Përpara një jave, në Bari, përkujtuam anijen “Vlora”, e cila 30 vjet më parë u nis nga Durrësi me 20 mijë shqiptarë në bord. Kryetari i Bashkisë së Barit, edhe pse në Itali kishte shumë polemika, tha: “Sono personi” – Janë njerëz. Mesazhi që Tirana duhet të japë për ata qytetarë nga Afganistani, të cilët përkohësisht do vijnë në ambientet tona, për t’u sistemuar më pas nëpër hotele në bregdet, pasi të lirohen nga fluksi i verës, e për të vijuar mandej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë: “Sono persone” – Janë njerëz”, tha Veliaj.
Më tej Veliaj ka theksuar se edhe ne, shqiptarët, kemi qenë një komb emigrantësh edhe jemi përballur edhe me fatkeqësi të tjera dhe ndaj jemi një komb zemërhapur. Ai ka qartësuar se studentët e vjeshtës janë strehuar në një godinë të veçantë në Qytetin Studenti dhe asnjë nuk ka mbetur pa u strehuar.
“Ne jemi një popull me zemër të madhe. Kemi qendra sociale, kur bie borë e kur bën ftohtë nuk lëmë asnjë rrugëve. E për sa kohë që çdo njeriu të uritur i japim ushqim, e çdo njeriu të pambrojtur i japim strehë, e çdo njeriu që ka nevojë për higjienë i japim një dush, kjo duhet të vlejë për këdo. E kemi bërë këtë me shumë valë të emigrantëve sirianë, që tranzitiojnë nëpër Tiranë për të vazhduar diku tjetër, dhe nuk ka asnjë çudi që do ta bëjmë këtë për këdo që ka nevojë të tranzitojë përkohësisht në vendin tonë, teksa kërkon një të ardhme më të sigurt për familjen e tij. Për sa kohë ishin ne afganët në vitet 90’, do duhet të tregojmë njerëzillëk. Nuk duhet ta harrojmë historinë nga kemi ardhur, kur ne ishim në situata të tilla me anije”, ka thënë Erion Veliaj.