Mijëra afganë, mes tyre edhe presidenti, Ashraf Ghani, nxituan në aeroportin në Kabul në përpjekje për të ikur nga Afganistani, pasi talebanët morën kontrollin e kryeqytetit. Në kaosine e krijuar në aeroport, tre persona fatkeqësisht humbën jetën.
Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës thanë të dielën se kishin pranuar një kërkesë amerikane, për të pritur përkohësisht refugjatët politikë që kërkonin hyrje në SHBA. Në një prononcim për ‘The Guardian’, kryeministri Rama është shprehur se ndihet i shkatërruar kur sheh se si ata njerëz janë lënë të braktisur, pasi vetë shqiptarët e dinë se si është të jesh i huaj e të kërkosh strehë, referuar emigrantëve të vendit tonë.
“Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri,” tha kryeministri i vendit, Edi Rama, për The Guardian.
“Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë ”, tha Edi Rama. Më tej kryeministri i vendit tha se nuk mund ta kuptonte “sesi vendet më të pasura mund t’i kthejnë shpinën”, pasi kjo sipas tij përplaset me vlerat që të gjithë predikojmë.
“Kjo përplaset me vlerat që ne të gjithë predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por ne gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij.”, tha ai. Rreth 30,000 qytetarë afganë janë larguar nga vendi çdo ditë gjatë 10 ditëve të fundit, shumica prej tyre udhëtojnë në Iran ose Pakistan me rrugë tokësore.