Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së, shprehet në një deklaratë për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
I pyetur nga Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuaraa ndaj nismës Ballkani i Hapur, të përqafuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por jo nga vende të tjera në rajon, zëdhënësi thekson përmes deklaratës se SHBA u bëjnë thirrje udhëheqësve në rajon “të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.
Deklarata e cilëson me rëndësi “esenciale për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike” krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, i tillë që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, shkruan VOA.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian” thuhet në deklaratën që bëri për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.