Siç shihet nga tabelat e Ministrisë së Financave në buxhetin afatmesëm kosto fillestare e lotëve që po kryhen punime ishte 5.2 miliardë lekë, por me financimet shtesë kostot janë rritur edhe me 29 për qind, duke shkuar nga 5,2 miliardë lekë në 6.7 miliardë lekë.
Rruga Kardhiq- Delvinë ka një histori të komplikuar dhe mungesë transparencë. Qeveria Berisha në vitin 2007 vendosi ndërtimin e këtij aksi, por punimet u ndërprenë për të rinisur në vitin 2018 për të ndërtuar rreth 16 kilometra, pasi punimet për 16 kilometra ishin tashmë të përfunduara.
Projekti për 15 kilometrat e mbetura u rishikua, por kostot totale të rrugës mbeten jo transparente për shkak se ecuria e projektit raportohet i ndarë në 8 lote dhe i shtrirë në shumë vite.
Rruga Kardhiq -Delvinë e është e kategorisë B me dy korsi më gjerësi që varion nga 10 në 17 metër. Ky aks synon të shkurtojë distancën ndërmjet Tiranës dhe Sarandës, duke shmangur Qafën e Muzinës. Rruga e cila u konceptua për nxitjen e turizmit kryesisht u kthye në një sagë pa fund dhe kosto të pallogaritshme për taksapaguesit.
Pak ditë më parë qeveria publikoi një video të shpimit tej për tej të tunelit të Skërficës 1,3 kilometër të gjatë, pjesa më e vështirë e punimeve, në lotin 7.
Qeveria njoftoi si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të vitit 2022, por në buxhetin afatmesëm ky aks do të financohet deri në vitin 2024.
E gjithë vepra ka 8 lote nga të cilat punimet tashmë kanë përfunduar për 16 kilometra në lotët 1, 2 dhe 3, teksa punimet po vazhdojnë në lotët e tjera.
Kostot e rrugës u rriten pasi qeveria vendosi vitin e kaluar për të rishikuar projektin në të gjithë gjatësinë e tij, për ta pajisur me sinjalistikë të gjitha lotët në gjatësinë prej 32 kilometër, funksion që normalisht e kryejnë kompanitë që realizojnë punimet.