Myslim Murrizi ka paditur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të Bujqësisë, Vojo Bregu.
Në kallëzimin e tij penal, Myslim Murrizi pretendon se dy ish-funksionarët e lartë gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së tyre gjatë periudhës 2013-2017 kanë abuzuar me dy tendera në Bashkinë e Lushnjes.
Sipas Murrizit, ish-ministri i Bujqësisë dhe sekretari i tij i përgjithshëm Vojo Bregu, kanë abuzuar me paratë publike në dy tendera.
I pari për projektin me vlerë 6 milionë euro për sistemin e ujitjes në Bashkinë Divjakë për ujitjen e 2800 hektarëve tokë dhe i dyti për blerjen e 1912 lopëve nga Danimarka me vlerën e 4.5 milionë eurove.
Pas dorëzimit të padisë, Myslim Murizi në një deklaratë për mediat thotë se sistemi i ujitjes nuk u vu asnjëherë në punë, ndërsa vlera e blerjes së një lope është vënën tre herë më e lartë nga çmimi i tregut.
“Ftoj që të shikohet se sa është çmimi që janë sjellë lopët nga Danimarka dhe Holanda. Po ashtu edhe për vaditjen me pika. Nuk besoj se shqiptarët kanë luksin, cilido qoftë zyrtar, që të tallen me 11 mln euro. Siç e kam deklaruar edhe më parë, mora përsipër të bëjë depozitimin penal për këta dy tendera. Abuzuesit e parave publike duhet të hetohen dhe është gjykata ajo që e vendos këtë”, u shpreh në një deklaratë për mediat Myslim Murrizi.